Test: Çfarë mamaje je

0
745

Edukimi i fëmijëve të nxjerr në pah shpesh dyshime dhe pyetje për veten. Më mirë një raport miqësor, apo një qëndrim më pak tolerant?

Klloçka, macja, palloi, delfini… Supermbrojtëse, instinktive, racionale… të njohësh karakterin tënd të ndihmon të nxjerrësh në pah personalitetin e fëmijëve të tu.

Zbulo se cili është stili yt i mëmësisë, duke iu përgjigjur pyetjeve të testit të mëposhtëm.

  1. Ndjen se e përmbush rolin e nënës kur:
    a. Kujdesesh për fëmijët
    b. U transmeton përvojën tënde
    c. Luan me ta
    d. Miq e të afërm të përgëzojnë për zgjuarsinë e tyre
  2. Të edukosh mirë fëmijët do të thotë:
    a. T’i përgatisësh për jetën prej të rrituri
    b. T’u transmetosh gëzimin për të jetuar
    c. T’u mësosh vlerën e pavarësisë
    d. T’i bësh të ndihen të dashur
  3. Herë pas here me ta je…
    a. Tolerante
    b. E shqetësuar
    c. E ashpër
    d. E paduruar
  4. Di t’i bësh të respektojnë rregullat?
    a. Sigurisht, pa asnjë vështirësi
    b. Me thënë të drejtën pothuaj kurrë
    c. Po, veçanërisht kur ka ndonjë rrezik
    d. Po, por vetëm kur ky rregull ka të bëjë me formimin…
  5. Cila prej sjelljeve të fëmijës tënd të bën të ndihesh e pafuqishme?
    a. Ftohtësia
    b. Të zbulosh se të ka gënjyer
    c. Pasiguria e tij përballë situatave në të cilat mendoje se do t’ia dilte pa problem
    d. Kur bëhet agresiv dhe nervoz pa arsye
  6. Fëmija yt do fillojë shkollën dhe ti uron që:
    a. Të mund t’i japë instrumentet e duhura që ta përballojë jetën prej të rrituri
    b. Ta ndihmojë për të nxjerrë në hap individualitetin
    c. Të arrijë të ballafaqohet me nxënësit e tjerë
    d. Të mësojë sa më mirë që të marrë edukimin e duhur
  7. Fëmija yt është nxënës model nëse…
    a. Ia del gjithnjë në çdo situatë
    b. Është më i miri i klasës
    c. Di t’i bëjë mësueset ta duan
    d. Ka vlerësimin e shokëve
  8. Në bazë të cila kritereve e vlerëson shoqërinë e fëmijës tënd?
    a. Mendon se nuk duhen dhënë gjykime, as përvoja që konsiderohen “jashtë skemave”
    b. Nuk ke vërejtje për shokët e tij, mjaft të mos përfundojë në shoqëri te keqe
    c. Mendon se nuk duhen bërë paragjykime. Vetëm kështu do të dijë t’u përshtatet të gjitha mjediseve dhe njerëzve me të cilët do të rrijë
    d. E fton të shoqërohet vetëm me njerëz që e nxisin
  9. Beson se pushimet ideale për fëmijën tënd janë:
    a. Me ty dhe gjithë familjen
    b. Në një kamp veror në mes të natyrës
    c. Jashtë, për të mësuar një gjuhë të huaj
    d. Në një fshat turistik, kështu mund të njihet me njerëz të rinj
  10. Imagjino të duhet të kalosh një kohë të gjatë larg fëmijëve. Si ndihesh?
    a. E qetë, nëse i sheh të gatshëm për të jetuar (përkohësisht) të shkëputur
    b. E sigurt, e rëndësishme është të jenë me dikë tek i cili beson verbërisht
    c. Mirë, për ta do të jetë një përvojë formuese
    d. Në ankth, nëse nuk mund të jesh në kontakt të përditshëm me ta (telefon, mail, skype…)
  11. E ardhmja e fëmijës tënd do të jetë…
    a. Plot suksese dhe kënaqësi
    b. E qetë dhe pa shqetësime të mëdha
    c. E pasur me përvoja, falë të cilave do të përmirësojë disa aspekte të personalitetit
    d. E lumtur, do të jetë e rrethuar me njerëz pozitivë që do t’i japin gëzim
  12. Shpreson që një ditë të të prezantojë një partner…
    a. Të sjellshëm, të aftë për ta dashur fëmijën tënd sinqerisht
    b. Të kulturuar dhe me një pozicion të mirë shoqëror
    c. Të lumtur dhe të aftë për të pasur rrotull njerëz pozitivë
    d. Kurioz dhe gjithnjë të gatshëm për të ndarë përvoja të reja
  13. Kur fëmija yt do të jetë i rritur, do të keni një marrëdhënie:
    a. Bashkëpunimi dhe do t’i besoni njëritjetrit
    b. Miqësore, pa asnjë dyshim
    c. Të qëndrueshme, sepse është bazuar në vlerësimin reciprok
    d. Të ngrohtë: jetoni një lidhje plot dashuri dhe butësi

Profili juaj:

Më shumë a
Mamaja klloçkë
Mama duke luajtur me femijetJe një nënë plot përkujdesje, e aftë ta dëshmosh çdo ditë. Qëllimet e tua kryesore janë: të administrosh shtëpinë në mënyrën më të mirë të mundshme, të ndjekësh fëmijët në detyrat shkollore, të përgatisësh mezet për festat e fëmijëve dhe t’i shoqërosh në çdo aktivitet ku ata duan ta shprehin veten (tenis, not, muzikë…) Për ty pra, të jesh mama (e mirë) do të thotë t’i harxhosh të gjitha energjitë e tua për fëmijët. Dhe sigurisht askush nuk mund të thotë se nuk duhet të sillesh kështu: të rrish mbi sobë duke menduar për menynë më të shëndetshme dhe të shijshme që do të vësh në tryezë, të flasësh me ton të përmbajtur me mësuesit e tyre duke u përpjekur t’u zgjidhësh problemet që mund të kenë… Çfarë nuk do të doje të dëgjoje kurrë? Që nuk u ke dhënë një edukim të mirë. Këto fjalë mund të të lëndonin thellësisht. Por, a nuk mendon se duke u sjellë kështu mund t’u përcjellësh të gjitha frikërat e tua? Nevoja jote për ta mbrojtur gjithnjë fëmijën në çdo situatë, ndoshta fsheh frikën që ke se mos të braktisin ose të lënë vetëm kur të rriten. Por fëmijët janë si shigjeta e një harku, herët a vonë duhet të lëshohen… Për t’u rritur: Çfarë diference ka mes përkujdesjeve të një nëne të mirë dhe ankthit për kontroll të një nëne të trembur? Pyetja është haptas provokuese, por kushtoji pak kohë dhe reflekto mbi këto dy aspekte… Nuk do të doje që fëmijët e tu kur të rriten të të qortojnë se nuk u ke dhënë lirinë e nevojshme për t’u bërë të pavarur. Lëri që, me kalimin e kohës, të kenë përvojat e veta, pa e pasur gjithnjë pas vetes shikimin tënd.

Më shumë b
Mamaja mace

mother_95E dashur, e ngrohtë, fëmijëve nuk u mungon kurrë vëmendje jote dhe je gjithnjë e gatshme t’i dëgjosh duke u përpjekur t’i kuptosh plotësisht nevojat e tyre. Sipas teje, një nënë (e mirë) duhet gjithnjë t’u transmetojë fëmijëve vlerat themelore të jetës dhe të jetë gjithnjë për ta një mësuese, një model për t’u ndjekur, shkruan revista Psikologji. Veç të tjerash, ke aftësinë për t’i stimuluar dhe ngacmuar fëmijët e tu që t’ia dalin vetë në çdo situatë. Më mirë që, qysh në fillim, ata të dinë të ballafaqohen me problemet e jetës dhe të mësojnë ta gjejnë zgjidhjen. Sigurisht, i ndjek lëvizjet e tyre me shikim dhe nëse duhet, ndërhyn për të zgjidhur ndonjë problem. Por kur mendon se janë gati për ta hedhur hapin, i shtyn të shkojnë të jetojnë vetë dhe të marrin përgjegjësitë e tyre. Sjellja jote ama nuk mund të fshehë (në mënyrë të pavetëdijshme) një dëshirë: a mos do që të rifitosh hapësirat tuaja në këtë mënyrë, lirinë tënde? Për t’u rritur: Ka një thënie: “Macja e nxituar pjell kotele të verbra”. E pra, mënyra jote për t’u shkëputur nga fëmijët që ata të fitojnë pavarësinë meriton të lëvdohet, por kujdes: mos i shtyj të bëjnë hapa të parakohshëm, nëse nuk janë ende krejtësisht gati. E si mund ta dish se kur është koha e duhur? Reflekto mbi dallimin mes një nëne që dëshiron t’i shohë të rritur fëmijët e vet dhe asaj që i largon para kohe… Do ta gjesh distancën e duhur që vlen për të kuptuar me objektivitet nëse ka ardhur çasti i duhur që fëmijët të jenë të pavarur nga ti.

Më shumë c
Mamaja pallua

Dëshiron që fëmijëve të tu të mos u mungojë asnjë mundësi dhe bën gjithçka që t’u sigurosh atyre më të mirën në çdo rast: një dado të zonjën, një shkollim të mirë… Sigurohesh, veç të tjerash, që ata të shoqërohen me njerëz stimulues dhe do që në shtëpi e jashtë saj të jenë gjithnjë të kuruar dhe elegantë. As edhe zgjedhja e pushimeve të tyre nuk është çështje dytësore për ty: më mirë t’i çosh në një vend ekskluziv ku të përfitojnë diçka (me pushime jashtë për të mësuar një gjuhë të huaj). Pastaj, nëse të lëvdojnë në rrugë, kur shkon në dyqan ose në oborrin e shkollës për fëmijët e tu, e hap bishtin si pallua. Atëherë, pse nuk je plotësisht e kënaqur me veten dhe ata? A mos ndoshta je duke projektuar tek ata dëshirat e tua që nuk i ke përmbushur dot? Prandaj i shtyn gjithnjë që të vihen në garë? “Më mirë që t’i njohin që tani rregullat e shoqërisë”, mendon, teksa i sheh të rriten. Pra, të pëlqen të besosh se suksesi i tyre varet vetëm nga aftësitë dhe cilësitë që kanë: “Si ka mundësi që ke marrë shtatë në shkollë?! A nuk more dhjetë herën e shkuan në këtë lëndë?”. Ndërsa kur fëmija vjen në shtëpi me një notë të mirë, ja çfarë i thua: “Për t’u bërë dikush duhet të përpiqesh edhe më shumë”. Kujdes: kjo sjelle mund të të bëjë të papërshtatshme kur ata të jenë rritur. Për t’u rritur: Pse keni kaq shumë pritshmëri nga fëmijët tuaj? I keni pyetur ata se çfarë duan të bëhen kur të rriten? Jo të gjithë shkëlqejnë në gjërat që bëjnë… Po sikur për ata të ishte mirë ashtu siç janë? Vëzhgoji, vlerësoji cilësitë e tyre, vazhdo të jesh krenare dhe lëri të ecin në drejtimin që ndjejnë më të drejtë për veten. Vetëm kështu do të arrijnë të shprehin më të mirën e personalitetit të tyre, pa shqetësimin për t’i dëshmuar asgjë askujt.

Më shumë d
Mamaja delfin
Kur sheh fëmijët e tu të luajnë me fëmijë të tjerë, të mbushet zemra me gëzim….Po, sepse të pëlqen që fëmijët e tu të ndajnë përvojën me moshatarët e tyre. Kreativiteti i tyre është themelor për ty. Ja pse i dëgjon gjithnjë me kënaqësi fantazitë e tyre, merr pjesë në botën e tyre emotive me entuziazëm dhe, kur të tregojnë një episod të palumtur, nxjerr jashtë armën sekrete: ironinë. Në lidhje me fëmijët e tu, pra, je empatike dhe kërkon t’i identifikosh gjithnjë me situatën në të cilën gjenden. Ke edhe aftësitë t’i bësh të tuat ëndrrat e tyre: bëheni kështu një skuadër dhe qëllimi i njërit është i të gjithëve. “Mama, kam njohur një vajzë…”, kur djali yt të tregon histori sentimentale e dëgjon me vëmendje, pa gjykime dhe përpiqesh t’i japësh këshillën më të mirë. Ndihesh sikur po jeton një adoleshencë të dytë. Po sikur të duhet t’u vësh një kusht që ata duhet ta respektojnë? Detyrë e vështirë: Nuk do të doje kurrë ta lëndoje ndjeshmërinë e tyre… Për asnjë arsye. Po ku e ka zanafillën një sjellje e tillë? Ndoshta në fëmijërinë tënde ose adoleshencë je ndjerë e privuar nga mundësia për të pasur disa përvoja që mendon se do të të kishin rritur, prandaj kërkon t’u lësh lirinë maksimale të mundshme fëmijëve të tu. Për t’u rritur: “Po sikur një ditë të më thonë se kam qenë nënë e keqe? Po sikur të më duhet të qortoj veten për gabimet që nuk i kam vënë re… Nuk do të doja kurrë të më thoshin se i kam zhgënjyer…” Të vazhdosh t’i bësh këto pyetje vetes, nuk të ndihmon që t’i jetosh me qetësi momentet më të rëndësishme me fëmijët e tu. Je një mama që di të japë lirinë e duhur, por ki parasysh se sidomos në moshën rinore fëmijët kanë nevojë edhe për udhëheqje, që i ndihmon të përballojnë vështirësitë e moshës së rritur. /Telegrafi/

Komento

Please enter your comment!
Please enter your name here