Qahia, shija tradicionale e sofrës së Çamërisë

0
1

Qahia është një gatim autokton, tradicional i hershëm i kuzhinës shqiptare.

Receta e përgatitjes së saj është shumë e njohur si traditë e çamërisë por gjithashtu gjerësisht përgatitet edhe në Kosovë, konkretisht zona e Prizrenit.

Ashtu si dikur edhe sot, qahia mbetet një ndër gatimet më karakteristike të amvisave të çamërisë dhe atyre të Kosovës.

I quajtur edhe si byreku i butë me 16 petë, ky gatim  i përsosur kërkon pak përkujdesje dhe durim nga amvisat gjatë përgatitjes dhe me patjetër do të mbledhë gjithë familjen rreth tryezës për ta shijuar.

Sipas traditës së sofrës çame, Qahia shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me dhallë të freskët si dhe sallata me turshi të ndryshme shtëpie.

Përgatitja e Qahies në Shtëpi

Përbërësit

  • 1 kg miell
  • 2 filxhanë qumësht
  • 3 vezë
  • Kripë
  • 300 gr gjizë ose djathë i thërrmuar
  • 150 gr gjalpë të freskët ose 3-4 lugë vaj ulliri (Për një gatim të shëndetshëm ju këshillojm te përdorimin e vajit të ullirit)
  • 2 lugë gjelle maja buke

Përgatitja

Si fillim në një gotë me pak ujë të vakur hidhni majanë që të tretet.

Më pas, në një enë të madhe hidhni miellin, shtoni pak vaj ulliri, kripën, qumështin, majanë e tretur dhe përziejeni të gjitha bashkë.

Punoni masën me duar derisa brumi të bëhet homogjen.

Pasi keni përgatitur brumin, mbulojeni me një pecetë kuzhine dhe lëreni në një vend të errët që të pushojë përreth 30-40 minuta.

Në këtë mënyrë brumi do të dyfishojë masën e tij.

Ndërkohë, në një tas rrihni vezët bashkë me gjizën apo djathin e thërrmuar.

Më pas, ndajeni brumin në 16 toptha të vegjël, të cilët do t’i hapni në formën e petave përmes një petësi kuzhine.

Vendosni petat në tepsinë e lyer me pak vaj. Secilën petë që shtroni në tepsi spërkateni me pak gjalpë të freskët.

Pasi të keni shtruar petën e katërt hidhni një shtresë të hollë të gjizës apo djathit të thërrmuar me vezë. Kështu vijoni derisa të përfundoni vendosjen e të 16 petëve.

Spërkateni në fund me gjalpë dhe priteni në formën e katrorëve të vegjël ose rombit. Futeni të piqet në furrë të parangrohur në temperaturën prej 200 C derisa të marrë ngjyrën e kuqërremtë të pjekjes.

//agroweb/

Komento

Please enter your comment!
Please enter your name here