Si të bëjmë gliko limoni

0
49

Ju e dini që glikot janë nga më të ndryshmet dhe me shumëllojshmëri shijesh.

Nëse mendoni se glikoja e limonit do të jetë e athët gaboheni. Shija e saj është shumë speciale!  Ja si ta përgatisni…

Përbërësit:

7 limona bio, lëkurë trashë rreth 1,5 kg

1 lt ujë

1,5 kg sheqer
Përgatitja:

Në fillim i lajmë limonat mirë dhe i fshijmë me një pecetë të thatë. Ua grijmë atë cipën e verdhë të gjithë limonave me kujdes me një rendë të hollë. Lëkurat e përfituara i fusni ne një vazo qelqi dhe u vendosim sheqer sipër.

I keni gati për të përdorur nëpër ëmbëlsira të ndryshme kremera etj. Vazon e qelqit me lëkurat mbajeni në frigorifer. Ndërsa limonave të qëruar i shpojmë me një gjilpërë a një shtizë të hollë në shumë vende dhe i fusim në ujë.

I lëmë 24 orë në ujë duke ua ndërruar ujin gjatë kësaj kohe rreth 3-4 herë. Të nesërmen i ziejmë me ujë të bollshëm rreth 15 minuta, ua derdhim ujin dhe i lëmë të ftohen plotësisht në ujë të ftohtë.

Pastaj i marrim, i presim në 4 ose 6 pjesë varet sesa të mëdhenj janë limonat dhe sa të mëdha i doni copat ju. Ashtu të prerë i vendosim në një enë të madhe me ujë: do i lëmë dhe 2 dite të tjera duke ua ndërruar ujin 3-4 herë në ditë, bashkë me ujin dhe farat që dalin.

Pasi kemi mbaruar këtë proçes i marrim fetat e limonit i kalojmë me një pe guzhine në role që të marrin formën e bukur gjatë zierjes. Ashtu të kaluara në fije i vëmë në tenxheren ku do të zihet glikoja dhe shtojmë sheqerin e 1 gotë ujë.

Nuk ka nevojë për tepër ujë pasi fetat e limonit janë shumë të ujshme dhe kanë lëngun e vet brenda. I ziejmë kështu rreth 30 minuta, kjo kuptohet kur zierja përfundon se lëngu trashet dhe glikoja fillon të bëhet e tejdukshme.

Pasi ka mbaruar zierja e heqim nga zjarri dhe i vëmë një lugë gjelle nga lëkurat e grira që i kemi futur në sheqer, ato i japin tepër aromë lëngut të glikosë. E lemë ashtu të ftohet në lëngun e vet dhe kur të jetë ftohur plotësisht e fusni nëpër vazo, shikoni që copat e glikosë të jenë plotësisht të mbuluara me lëng dhe mbajeni në frigorifer.

Ose nëse i sterilizoni vazot më parë i mbushni me glikonë e nxehtë dhe kështu nuk është nevoja ta mbani fare në frigorifer.

//shije/

Komento

Please enter your comment!
Please enter your name here