Magja, tradita e harruar shqiptare

0
20

Të bësh një artikull për magjen duket se në ditët e sotme është diçka jo e zakonshme. Të jep ndjesinë se ajo po harrohet edhe pse po flasim thjesht për nje magje, frika është se bashkë me të po harrohet dhe tradita që lidhet ngushtë me këtë send -arti i bërjes së bukës në shtëpi.

Me rënien e komunizmit dhe hapjen e dyerve të importit në tryezat e shqiptarëve u shtuan një sërë ushqimesh që nuk ishin provuar kurrë . Bashkë me to gjithshka filloi të modernizohej shumë shpejt dhe sendet e tilla filluan të konsideroheshin si të vjetra dhe jo më të përshtatshme për kohën, deri sa nuk u përdorën më.

Por çfarë do të thotë magje ? 

Magje është një enë e drunjtë si govatë, ku ngjishet e punohet brumi për të bërë bukë; sasia e brumit sa nxë kjo enë; bukët që dalin nga ky brumë. “Magjja e bukës.” “Zë brumë (gatuaj) në magje”. “Laj (gërryej) magjen.”

Një tjetër përcaktim i saj do të thotë govatë prej druri për të larë rrobat. “Magje rrobash, lanin në magje”. Por gjithashtu do të thotë dhe pjesë e mullirit të blojës, e dërstilës etj., që është si arkë a si govatë prej druri e ku bie mielli, dërstilet shajaku etj. “Magjja e mullirit”. “Magje dërstile.”

E gjejmë dhe në shprehje frazologjike si “e ka zënë magjja e kanë mbytur hallet e shtëpisë, ka barrën e shtëpisë mbi vete.” “I ka zënë magjja kokën është në hall të madh, është shumë ngushtë, e ka punën keq.”

Ne do te fokusohemi tek magja e bukës sepse fundja ky është qëllimi i revistës sonë të vijmë pranë jush me anë të ushqimit dhe bërja e bukës në shtëpi duke përdorur këtë mjet tipik tradicional është e lidhur ngushtë me ne.

Në çfarë periudhe është përdorur ajo?

Është e vështirë ta dish se kur daton përdorimi i magjes por me një kërkim të thjeshtë duket se këtë mjet nuk e kanë përdorur vetëm shqiptarët po edhe vendet e rajonit . Për shembull mendohet se magja është përdorur që në Greqinë antike, gjithashtu dhe në kuzhinën otomane . Në Shqipëri është pak e vështirë ta gjesh se kur shqiptarët kanë filluar ta përdorin por besojmë se duke marrë në konsideratë se ky ka qenë një mjet i domosdoshëm për bërjen e bukës dhe lidhjen tregtare që kanë pasur fiset ilire me ato greke kanë ndikuar në përhapjen e mjeteve të tilla artizanale . Dhe kjo traditë vazhdoi për shumë kohë të tjera dhe u trashëgua brez pas brezi nga nënat tek vajzat deri sa erdhi në ditët e sotme që duket sikur po vjen “fundi” i një epoke. Kjo sepse sot magja nuk perdoret më nga familjet shqiptare, dhe vetë emri i këtij sendi tingellon si diçka jo normale për kohën.

Por e rëndësishme është që të theksojmë,se sot kemi harruar magjen, nesër diçka tjetër dhe kështu do humbasim pak nga pak pjesëza të çmuara nga tradita e kuzhinës tonë shqiptare . Sepse një send nuk është kurrë vetëm një send, ai lidhet domosdoshmërisht me kujtimet tona,dhe në rastin e magjes me një pjesë të historisë sonë.

/shije/

Komento

Please enter your comment!
Please enter your name here