Histori prekëse: “Duhanpirja kronike më bëri t’i kem ditët të numëruara…”

0
1

Ndoshta për pak kohë as që do jetoj më… Po përpiqem të bëj çdo gjë që mundem, por më dhemb në shpirt të di që ditët e mia po shkojnë drejt fundit. Unë nuk e dija se fundi im do të vinte kaq shpejt.

S’e mendoja kurrë se shprehjet “Duhani dëmton rëndë shëndetin” në paketat e cigareve, të ishin aq të vërteta sa të më dëmtonin deri në këtë pikë.

E nisa duhanin në moshën 10 vjeçare. Ishte shoqëria e rritur në moshë që më bëri ta provoja dhe kurioziteti i shtuar nuk po shuhej deri në pikën sa ta lija. Veproja si shumë të rinj të tjerë. Pija duhan jashtë shtëpisë dhe pastaj përtypja dy ose tre orbitë për të larguar erën e duhanit nga goja. Mund të ndodhte që prindërit të ndienin erë duhani në rrobat e mia, por i gënjeja duke i thënë se pinin ata të play stationit ku unë shkoja. Dhe kështu vazhdoi për disa vite, derisa në moshën 16 vjeçare unë fillova ta pija hapur duhanin. Prindërit nuk donin, por ua kisha sqaruar se nuk mund të jetoja dot pa të. Isha bërë i varur. Nuk mund të kaloja ditë pa pirë një paketë të tërë.

Vitet kaluan dhe tek vetja i vija re gjithë shenjat e jashtme. Gishti tregues dhe gishti i mesit të dorës së djathtë ku mbaja cigarette m’u zverdhën. Dhëmbët gjithashtu m’u zverdhën. Në moshën 23 vjeçare krahasoja veten me bashkëmoshatarët e mi. Ata nuk ngjanin shumë të moshuar, apo nuk tregonin për moshën që kishin, kurse mua filluan të më dilnin rrudhat në fytyrë dhe tregoja jo vetëm për aq sa isha, por njerëzit mendonin se dukesha edhe më i madh.

Në moshën 30 vjeçare, unë u martova me dikë që doja.Kaloi një vit dhe nuk po bënim dot fëmijë. Shkuam për vizitë tek një spital privat në Shqipëri dhe pas analizave të detajuara që na bënë, mjeku tha se probleme të tilla zakonisht i kishin femrat në çifte, por në rastin tonë isha unë steril. Sipas tij, shkaktari kryesor ishte duhani.

U mërzita tejmase. E vura re që edhe bashkëshortja po ashtu, por tani nuk kishte më kthim pas. Kaluan dy vjet dhe ajo sërish nuk e kishte hapur këtë temë. Me sugjeronte shpesh herë të birësonim një fëmijë, por përherë nuk pranoja. Në kushtet kur nuk mund të bëja dot vetë një fëmijë, me egoizëm mendoja se nuk më duhej një fëmijë tjetër.

Në dhjetor të vitit të shkuar, kur unë isha 33 vjeç filluan të më shfaqeshin disa shenja të çuditshme. Ndihesha tërë kohës i lodhur, oreksi po më ikte dhe ndieja vazhdimisht dhimbje koke. Kisha gjithë shenjat e një gripi dhe nuk u stresova për këtë pjesë, pasi kisha edhe kollë. Mirëpo ajo që më shqetësonte ishte që sa herë kollitesha, nxirrja gjak nga goja. Përpiqesha ta fshehja këtë gjë nga gruaja, duke e menduar si diçka jo aq të rëndësishme, saqë ajo të shqetësohej.

Dhe i tillë kaloi edhe janari. Mendova se me siguri kjo gjë do të kalonte me largimin e dimrit, por nuk qe kështu. Edhe në mars episodet ishin të njëjta. Në datën 13 mars kur gruaja po gatuante për ditën e verës, teksa po shkoja në tualet, humba ndjenjat. U zgjova shpejt nga një kovë me ujë që gruaja duke bërtitur, më hodhi në fytyrë. Kjo bëri që të kollitesha dhe të nxirrja gjak sërish. Aty bashkëshortja ime u shqetësua akoma më shumë.

Të nesërmen më detyroi të shkonim në spital që të vizitohesha. Pasi pyetëm në recepsion se ku duhet të drejtoheshim, na thanë se duhet të takonim mjekun pneumolog. Pasi dëgjoi se si kishte nisur gjithçka, pyetja e parë e mjekut ishte “E pi duhanin?”. Kur dëgjoi përgjigjen time pozitive dhe kohën prej sa kisha që pija duhan, ai më tha të shkoja menjëherë tek mjeku radiolog për një sërë ekzaminimesh imazherike. Kur mora analizat imazherike dhe po ia çoja pneumologut, në zarf lexohej qartë shkrimi i mjekut. Ishte i veçantë. Tepër i qartë, jo si shkrimet e disa mjekëve të tjerë që mezi kuptoheshin. Lexohej “Karcinomë bronkiale TNM 4”. As e dija se çfarë ishte, por pasi pa atë zarf, mjeku më dha një recetë me ilaçe dhe më tha që të shkoja t’i blija, ndërkohë që gruas sime i tha të rrinte edhe pak në zyrë me të që t’i thoshte se si duhet të m’i jepte ilaçet. Unë u nisa për në farmaci dhe u habita se këshillat se si duhen marrë ilaçet zakonisht i jepte farmacisti, jo mjeku. Hyra në internet gjatë rrugës për në farmaci dhe kërkova për sëmundjen time. Ndieva tokën të shëmbej poshtë këmbëve të mia. Unë kisha kancer në bronke dhe në gradën e katërt, të pakurueshme. I bleva ilaçet dhe shkova të merrja gruan në spital. Ajo dukej e shqetësuar. Me siguri që mjeku nuk i kishte thënë se si t’i merrja unë ilaçet, por i kishte shpjeguar sëmundjen time të pashërueshme dhe për të cilën nuk do jetoja dot më shumë se 6 muaj.

Unë vuaj prej dy muajsh nga kanceri në bronke, një nga format e kancerit që përhapet më shpejt dhe fundi i së cilit njihet. Vdekja. Unë jam dobësuar tejmase, shenjat që ndieja më parë janë thelluar. Jam zbehur në fytyrë, ndoshta prej anemisë. Ndihem i këputur dhe përveç këtyre, shoh gruan tërë kohës të shqetësuar. Shoh familjarë që më vizitojnë shumë shpesh dhe dalin të përlotur nga dhoma, por dinë ta fshehin mirë shqetësimin e tyre përpara meje…

Duhani më shkatërroi familjen. Duhani bëri që të mos përjetoja ndjesinë e të qenurit baba. Duhani tani po më çon ditë pas dite drejt vdekjes. Unë ende nuk e kam hapur këtë temë, por dua ta hap me gruan time. Dua që ta këshilloj ta jetojë jetën e saj si të dojë, pse jo edhe me dikë tjetër. Ajo është 28 vjeçe dhe më qëndron pranë. Ka treguar se më do shumë, por nuk dua të mos e jetojë jetën e saj pas largimit tim…

Ndaj, duke marrë shkas nga sa shumë më ka shkatërruar duhanpirja, dua t’i them të gjithë duhanpirësve të mos mendojnë se shënimet në paketat e duhanit janë të gabuara. Duhani vërtet vret! Nëse nuk doni një jetë të ngjashme si e imja, ndryshoni. Lëreni dalëngadalë duhanin. Futjuni sportit, palestrës apo diçkaje tjetër që do t’jua heqë mendjen prej duhanit, sepse më besoni, është e tmerrshme të dish që po vdes nga kokëfortësia jote. Unë mendoja se nuk e lija dot duhanin pa e provuar ta lija dhe ja ku jam sot. Me ditët të numëruara…

//bota/

Komento

Please enter your comment!
Please enter your name here