Hipertiroidizmi/ Ja pse është kërcënues për jetën

0
24

Dr. Gerond Husi, mjek endokrinolog në QSUT, tregon se hipertiroidizmi i patrajtuar mund të shkaktojë rritje maksimale të frekuencës së zemrës, të presionit të gjakut, zgjerimin e barkushes së majtë dhe dekompensim kardiak.

Gjendra tiroide është e vendosur në pjesën e përparme të qafës dhe prodhon hormonin tiroid që kontrollon metabolizmin e njeriut, frymëmarrjen, frekuencën e zemrës, sistemin nervor, peshën, temperaturën e trupit si dhe shumë funksione të tjera trupore.

Hipertiroidizmi është një gjendje në të cilën gjëndra tiroide është tepër aktive dhe prodhon sasi të tepërt të hormonit tiroid. Nëse kemi nivel të rritur të hormonit tiroid, organizmi mund të funksionojë më shpejt. Kur gjëndra tiroide është shumë aktive, njeriu mund të përjetojë nervozizëm, ankth, dridhje duarsh, djersitje të tepruar, humbje peshe, rrahje të shpeshta dhe probleme të gjumit, veç shumë simptomave të tjera.

Hipertiroidizmi ka një numër të madh shkaqesh, por për fat trajtohet me sukses. Është e rëndësishme që pacientët t’i drejtohen mjekut sa më parë nëse ndjejnë simptoma të tilla, në mënyrë që sëmundja të trajtohet që në fazat e para.

Simptomat e hipertiroidizmit:

  1. Lodhje dhe/apo dobësi të muskujve,
  2. Dridhje duarsh,
  3. Çrregullime të humorit,
  4. Nervozizëm apo ankth,
  5. Rrahje e shpejtë zemre,
  6. Probleme me gjumin,
  7. Ndjenjë vape, rritje të temperaturës së trupit,
  8. Djersitje,
  9. Rritje e presionit të gjakut,
  10. Ndryshime menstruale,
  11. Diarre,
  12. Ënjtje e gushës.

Shkaqet e hipertiroidizmit:

Shkaku kryesor i hipertiroidizmit është sëmundja Basedow (Graves) (strumë difuze toksike), një sëmundje me bazë autoimune që shoqërohet me prodhimin e disa antitrupave specifikë dhe shtimin e hormonit të tiroides qarkulluese.
Shkaqet e tjera janë ‘nodujt toxike’ të tiroides, marrja e hormonit të tiroides në sasi të shtuar nga jashtë (jatrogjene) ose e preparateve që përmbajnë jod (kordaroni, amiodaroni), nga adenoma të hipofizës që prodhojnë hormonin stimulues të tiroides (TSH), etj.

Faktorët e riskut:
Femrat janë më të favorizuara për t’u prekur nga hipertiroidizmi apo nga sëmundje të tjera të tiroides, për këtë arsye themi që të qenët femër është një faktor risku.
Tiroidja mund të jetë e trashëguar. Shpesh pacientët pyeten nëse kanë ndonjë histori familjare, apo të afërm me probleme të tiroides.
Duhani apo alkooli gjithashtu janë faktorë risku.

Nëse nuk e mjekoni hipertiroidizmin mund të përjetoni humbje në peshë, pasi metabolizmi i trupit tuaj është shumë i shpejtë.
Gjithashtu, mund të keni probleme me zemrën si: rrahje të shpeshta të zemrës, fibrilacion atrial ose pamjaftueshmëri të zemrës.
Në raste të rralla hipertiroidizmi mund të shkaktojë një gjendje kërcënuese për jetën, të quajtur stuhia tiroide, që ndodh kur gjëndra tiroide lëshon sasi të mëdha të hormonit tiroid brenda një periudhe shumë të shkurtër.

Si diagnostikohet hipertiroidizmi?
Mjeku pyet pacientin për simptomat që ka pasur, si dhe bën ekzaminim klinik. Ekzaminimi klinik nënkupton prekjen e qafës për të parë nëse ka një rritje të madhësisë së tiroides, matjen e frekuencës kardiake, kontrollin e lëkurës për djersë, ‘reflexin akilian’ i cili do të jetë i shkurtuar dhe kontrollin e tremorit të duarve. Më pas mjeku do t’ju kërkojë të bëni analizat e gjakut.

Një dozë e TSH-së në serum është testi më i mirë që duhet kryer së pari, pasi është gjithmonë i shtypur te pacientët me hipertiroidizëm. Ndërsa zbulimi i antitrupave anti-tiroide sinjalizon për ekzistencën e një sëmundjeje autoimune në veprim. Për të përfunduar diagnozën mund të jetë e dobishme kryerja e një ekografie dhe një shintigrafie tiroidiene.

Trajtimi
Nëse simptomat ju shqetësojnë, mjeku mund t’ju japë disa medikamente të quajtura beta-bllokues dhe ‘anxiolitike’. Këto mund t’ju ndihmojnë të ndiheni më mirë, derisa mjeku juaj të marrë përgjigjen e testeve hormonale dhe të vendoset diagnoza. Medikamentet antitiroide funksionojnë duke bllokuar sintezën e hormonit në nivel të tiroides dhe rezultati i tyre është i kënaqshëm.

Gjatë trajtimit, do të keni nevojë për analiza të rregullta të gjakut. Këto analiza bëhen për të parë nëse hipertiroidizmi është normalizuar. Ndonjëherë trajtimi shëron hipertiroidizmin, por shkakton problemin e kundërt: prodhimin e paktë të këtij hormoni. Nëse kjo ndodh, ju mund të keni nevojë për të marrë medikamente të hormonit tiroid për të kthyer situatën në normalitet.

Në shumicën e rasteve marrja e medikamenteve mund të jetë e përkohshme dhe zgjidhja përfundimtare të jetë interventi kirurgjikal ose marrja e jodit radioaktiv.
Sigurisht edhe rregullimi i stilit të jetesës është i rëndësishëm dhe nënkupton lënien e duhanit dhe alkoolit, moskonsumimin e çokollatave apo pijeve me përmbajtje kafeine.

//konica/

Komento

Please enter your comment!
Please enter your name here